
Presidentja Vjosa Osmani njoftoi mbrëmë se Bashkimi Evropian ka vendosur heqjen e plotë të të gjitha masave sanksionuese ndaj Kosovës, pas diskutimeve të gjata me institucionet evropiane. Vendimi u komunikua pas samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Sipas Osmanit, një pjesë e masave hiqen që nga e enjtja, ndërsa procesi do të përfundojë plotësisht në fazën e ardhshme. Masa kyçe është heqja e kufizimeve për fondet e BE-së, çka i hap rrugë rifinancimit të projekteve zhvillimore dhe programeve strategjike në vend.
Sanksionet ishin vendosur në qershor 2023 pas tensioneve në veri, duke pezulluar një pjesë të fondeve IPA, vonuar projektet e reja dhe kufizuar pjesëmarrjen e Kosovës në nisma të BE-së. Osmani tha se vendimi është rezultat i angazhimit diplomatik dhe vlerësimit pozitiv të zhvillimeve të fundit.