
Reforma gjyqësore mbetet kushti kyç për avancimin e Bosnjës dhe Hercegovinës drejt Bashkimit Evropian, raportoi transmetuesi publik RTBH, ndërsa mungesa e konsensusit politik po pengon miratimin e ligjeve themelore.
Dy aktet kryesore, ligji për gjykatat dhe ligji për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, nuk kanë arritur ende mbështetjen e nevojshme parlamentare. Pa këto ligje, Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të hapë negociatat e anëtarësimit me BE-në.
Sipas RTBH, pengesa kryesore lidhet me mospajtimet mbi përbërjen dhe kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial. Ekspertët theksojnë se reformat duhet të garantojnë pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ish-gjyqtari Branko Peri? vlerëson se sistemi gjyqësor funksionon ngadalë, nuk lufton mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe mbështetet në një kuadër ligjor të dobët. Transparency International Bosnja dhe Hercegovina thotë se ligjet e propozuara mund të sjellin përmirësime, por mbetet e paqartë nëse ato përmbushin standardet evropiane.
Eksperti Almin Dautbegovi? thekson se përparimi varet nga vullneti politik dhe konsensusi i aktorëve vendas. Ndërkohë, sondazhet tregojnë se besimi i publikut te drejtësia mbetet i ulët, ndërsa shumica e reformave ndër vite janë nxitur nga faktorë ndërkombëtarë dhe jo nga iniciativa e brendshme.