
SPAK mban sot në orën 10:00 ceremoninë zyrtare të dorëzimit të detyrës, ku Altin Dumani i kalon drejtimin Klodian Brahos, të zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 11 dhjetor për një mandat 3-vjeçar. Braho mori 7 vota nga anëtarët e KLP-së, duke lënë pas në garë Adnan Xholin, Doloreza Musabelliun dhe Elvin Gokajn.
Mandati i kreut të SPAK nuk rinovohet, ndërsa Dumani do të vijojë punën si prokuror i strukturës deri në përfundim të mandatit 9-vjeçar, në vitin 2028.
Klodian Braho, 43 vjeç, është pjesë e sistemit të drejtësisë prej vitit 2007 dhe një nga figurat qendrore të SPAK-ut. Ai ka drejtuar Seksionin e Korrupsionit dhe ka hetuar disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit, përfshirë inceneratorin e Elbasanit, çështjen “5D”, hetimin “Toyota Auris” dhe dosjen e Gërdecit ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu.