
Ish-presidenti Ilir Meta paraqitet sot në SPAK për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimin e rihapur për ngjarjet e 21 janarit 2011. Kryetari i Partisë së Lirisë do të nxirret nga paraburgimi dhe do të shoqërohet nga policia drejt Prokurorisë së Posaçme, ku seanca është caktuar në orën 10:00.
Meta do të pyetet si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Ai vetë ka kërkuar zyrtarisht të dëshmojë, ndërsa dosja hetohet nga prokurori Alfred Shehu.
Hetimi lidhet me protestën para Kryeministrisë ku u vranë katër qytetarë, pas publikimit të videos Meta–Prifti që shkaktoi krizë politike. SPAK e rihapi çështjen vitin e kaluar për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
Të thirrur më herët kanë qenë Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Bamir Topi. Dosja e 21 janarit mbetet një nga ngjarjet më të rënda të tranzicionit shqiptar.