
Këshilli i Mandateve mblidhet sot në 10:30 për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku. Anëtarët do të diskutojnë pa pasur në dorë të gjithë provat, pasi dokumentacioni i Prokurorisë së Posaçme është nën sekret hetimor dhe mbahet në kasafortën e Kuvendit. Debati politik është përqendruar pikërisht te mënyra e trajtimit të kësaj USB-je.
SPAK pretendon se Balluku ka ndërhyrë në manipulimin e 12 procedurave tenderuese dhe se, për shkak të funksionit, ekziston rrezik për veprime të tjera penale. Ajo mund të paraqitet vetë ose përmes avokatit, ndërsa prokurorët do të parashtrojnë argumentet e tyre.
Pas mbledhjes, Këshilli ka deri në dy javë për raportin që do t’i shkojë seancës plenare. Ndërkohë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi ndalimin e daljes jashtë vendit, ndërsa çështja e pezullimit pritet në Kushtetuese. Balluku është e pandehur për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për disa lote të Unazës së Madhe.