
Gjykata Kushtetuese përgënjeshtroi dje deklaratat publike lidhur me procedurën dhe rezultatin e votimit për pezullimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme që lidhen me masën e pezullimit nga detyra ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një reagim zyrtar, Kushtetuesja tha se pretendimet e bëra nga aktorë publikë dhe privatë janë “tërësisht të pavërteta” dhe sqaroi se çështja ndodhet ende në shqyrtim. Gjykata bëri të ditur se më 22 janar 2026 do të zhvillohet seanca plenare publike për kërkesën e paraqitur nga Kryeministri, me pjesëmarrjen e Presidentit, Kuvendit, SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme.
Gjykata u bëri thirrje aktorëve publikë të tregohen të kujdesshëm në deklarata, për të shmangur çdo paragjykim dhe për të respektuar integritetin dhe pavarësinë e institucionit, duke theksuar se vendimmarrja kushtetuese nuk duhet të ndikohet nga keqinformimi i opinionit publik.