
Pezullimi i ministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme është cilësuar “absurd” nga kryeministri Edi Rama, i cili e hapi episodin e ri të podcastit të tij duke cituar një reagim të Komisionit të Venecias. Sipas Ramës, Venecia ka theksuar se gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarë të qeverisë, pasi kështu cenojnë balancën e pushteteve dhe marrin kompetenca që i takojnë kryeministrit dhe presidentit.
Rama argumentoi se ministrat janë autoritete politike dhe pezullimi i tyre paralizon funksionimin e ekzekutivit. Ai e quajti këtë vendim një “eksperiment të padëgjuar” që nuk gjendet në asnjë vend të Bashkimit Europian, duke theksuar se pret që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë ngërçin.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e akuzoi Ramën për gënjeshtër, duke thënë se nuk ekziston asnjë opinion i Venecias për çështjen e pezullimit të ministrave. Berisha shtoi se kryeministri po ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila më 2 dhjetor do të vendosë nëse çështja e Ballukut kalon për gjykim.