
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu mori pjesë në Bruksel në konferencën e nivelit të lartë të Global Alliance, ku bashkëkryesoi sesionin për alternativat ndaj migracionit të paligjshëm. Në prani të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Koçiu prezantoi të dhënat e Shqipërisë mbi uljen e flukseve të migracionit të parregullt dhe operacionet e përbashkëta me FRONTEX, Interpol dhe Europol.
Ajo theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kyç për goditjen e rrjeteve të trafikimit dhe se ligji i ri “Për të huajt”, që hyn në fuqi në vitin 2025, harmonizon plotësisht politikat shqiptare me Paktin e BE për Migracionin dhe Azilin.
Koçiu nënvizoi se Shqipëria po krijon kanale të sigurta dhe ligjore për lëvizjen e qytetarëve, ndërsa po forcon mekanizmat e riintegrimit për migrantët që kthehen. Në fund të konferencës, vendet pjesëmarrëse miratuan një deklaratë të përbashkët kundër migracionit të paligjshëm.