
Qyteti i Vlorës po përballet prej disa ditësh me mungesë të ujit të pijshëm, situatë që ka shkaktuar shqetësim te banorët.
Pas avarisë në sistemin e furnizimit, kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini, reagoi sot nga terreni, duke sqaruar se problemi nuk është në kompetencë direkte të bashkisë, por se institucionet vendore kanë ndërhyrë për të menaxhuar situatën.
Sipas saj, bëhet fjalë për një defekt serioz të përsëritur ndër vite, i shkaktuar nga faktorë natyrorë, ndërsa zgjidhja përfundimtare pritet së shpejti. Pjesa e dëmtuar e tubacionit do të importohet nga Turqia dhe, pas testimeve pozitive, furnizimi me ujë do të rifillojë gradualisht në zona të ndryshme të qytetit.
Bashkia njoftoi se prej tre ditësh po operon me 15 autobotë uji, me prioritet institucionet e rëndësisë së veçantë. Në rrjetin e shpërndarjes janë përfshirë edhe kopshtet, ndërsa po zbatohet skema e furnizimit me ujë përmes boteve në të gjithë qytetin.