
Në një dalje para mbështetësve në Kombinat, Sali Berisha njoftoi sërish se opozita ndodhet “në prag të një fitoreje të pashmangshme” dhe se misioni i saj është “shpëtimi i Shqipërisë”.
Berisha e përshkroi qeverinë e Edi Ramës si “narko-diktaturë” dhe “diktaturë autokratike”, duke pretenduar se ka shkaktuar më shumë dëme se çdo regjim tjetër në historinë e vendit. Ai pranoi lodhjen dhe dëshpërimin e demokratëve pas 13 vitesh në opozitë, por siguroi se momenti i përmbysjes është afër.
Sipas tij, Rama qëndron në pushtet duke “plaçkitur votën”, duke përdorur krimin dhe duke shtypur pluralizmin me arrestime dhe përndjekje politike. Berisha akuzoi qeverinë se ka shkatërruar votën e lirë dhe institucionet demokratike, ndërsa opozitën e cilësoi si të vetmen shpresë për ndryshim.
Mesazhi ishte i njohur: beteja është historike, fitorja është afër dhe shpëtimi i vendit, sipas tij, është çështje kohe.