
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi të premten angazhim maksimal të strukturave të opozitës për protestën e paralajmëruar më 24 janar.
Në një mbledhje me kryetarët e degëve të PD-së, Berisha e cilësoi vitin 2026 si vendimtar për opozitën dhe tha se largimi i kryeministrit Edi Rama nuk do të vijë nga jashtë, por nga veprimi i qytetarëve.
“Askush nuk do ta heqë nga jashtë. Duhet ta heqim ne,” tha Berisha, duke theksuar se protesta është thelbësore për aksionin opozitar.
Ai u bëri thirrje strukturave të PD-së për dialog intensiv me anëtarësinë dhe mobilizim të plotë, duke e përshkruar protestën si një hap kyç në përballjen politike me qeverinë aktuale.
Berisha shtoi se opozita do ta mbështesë betejën e saj tek “guximtarët” dhe se synimi mbetet largimi i qeverisë përmes protestave paqësore.