
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha sot se opozita nuk pranon zgjedhje pa qeveri teknike dhe pa garantimin e funksionimit të drejtësisë.
Nga selia blu, Berisha deklaroi se me Edi Ramën në detyrë, zgjedhjet e lira janë të pamundura, duke theksuar se kjo është konstatuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Ai nënvizoi se dy janë kushtet bazë: proces zgjedhor i ndershëm dhe mosbllokim i drejtësisë. Sipas tij, çdo qeveri që pengon drejtësinë shkel Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve.
Berisha konfirmoi se protesta mbetet mjeti kryesor i reagimit opozitar. Data ende nuk është caktuar, por pritet para 20 shkurtit. Ai njoftoi nisjen e konsultimeve për krijimin e një fronti të gjerë opozitar, ku do të ftohen të gjitha partitë, pa përjashtim.