
Tregtia e jashtme e Shqipërisë u mbyll në vitin 2025 me një hendek të thellë mes importeve dhe eksporteve, sipas të dhënave zyrtare.
Sipas INSTAT, eksportet arritën në 346 miliardë lekë, ndërsa importet në 887 miliardë lekë. Për çdo 1 lek të eksportuar, vendi importoi rreth 2.6 lekë mallra.
Eksportet mbuluan vetëm 39% të importeve, duke e çuar deficitin tregtar mbi 540 miliardë lekë.
Një faktor kyç mbetet kursi i këmbimit. Forcimi i lekut ka dobësuar konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet evropiane, ndërsa ka ulur koston e importeve në tregun vendas.
Shqipëria importon kryesisht nga Italia, Kina dhe Turqia, me peshë të madhe të makinerive, ushqimeve dhe materialeve të ndërtimit. Eksportet, ndërkohë, mbeten të përqendruara në pak produkte dhe tregje.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kursi i këmbimit mbetet në këto nivele, deficiti tregtar pritet të mbetet i lartë edhe në muajt në vijim.