
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se Serbia nuk ka një politikë të jashtme të pavarur nga ajo e Rusisë, duke e cilësuar Beogradin si zgjatim të linjës politike të Moskës në Ballkanin Perëndimor.
Në një reagim në rrjetin social X, Gërvalla tha se për të kuptuar synimet ruse në rajon mjafton të vëzhgohen veprimet e Serbisë. Ajo iu referua deklaratave të fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për “vdekjen e rendit botëror” dhe planin për dyfishimin e ushtrisë, duke i cilësuar si mesazhe që vijnë njëkohësisht për Rusinë dhe nga Rusia.
Gërvalla shtoi se Serbia nuk është e kërcënuar nga askush dhe se rreziku real, sipas saj, buron nga lidershipi serb, i cili në vend të reformave evropiane dhe demokracisë, ndjek ambicie rajonale. Ajo paralajmëroi se ky mentalitet, sipas saj, ka qenë më herët burim destabilizimi për Evropën.