
Një i paraburgosur është arratisur dje nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte dërguar për kontroll mjekësor nën shoqërimin e policisë së burgjeve.
Bëhet fjalë për Altin Ndocin, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet se ka përfituar nga një moment pakujdesie gjatë shoqërimit dhe është larguar nga ambientet e spitalit.
Sipas informacioneve paraprake, jashtë spitalit e prisnin mjete të tjera, me të cilat është larguar menjëherë nga zona. Gjatë arratisjes nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia ka ngritur postblloqe dhe ka shtrirë kontrollet në disa akse rrugore, ndërsa kërkimet janë përqendruar në Durrës, Tiranë dhe zonat përreth.
Autoritetet kanë nisur hetim për rrethanat e ngjarjes dhe për përgjegjësitë e shoqërimit, ndërsa operacioni për kapjen e të arratisurit vijon.