
Federata Shqiptare e Futbollit ka rinovuar kontratën me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior, i njohur si Sylvinho, si dhe me zëvendëstrajnerët Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior.
Marrëveshja e re do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026 dhe synimi kryesor mbetet kualifikimi historik i Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.
FSHF vlerëson se nën drejtimin e Sylvinhos, Kombëtarja ka bërë hapa të qartë përpara në organizim, stil loje dhe rezultate, duke u shndërruar në një skuadër më konkurruese në arenën ndërkombëtare.
Trajneri brazilian drejton kuqezinjtë që prej janarit 2023 dhe ka udhëhequr ekipin drejt objektivave që më parë konsideroheshin të paarritshme.
Në muajin mars, Shqipëria do të luajë një ndeshje kyçe në gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit 2026, ku do të përballet me Poloninë. Në rast fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen vendimtare ndaj fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi.