
Kroacia ka zyrtarizuar në vitin 2025 forcimin e marinës me blerjen e dy luftanijeve më të mëdha që ka pasur ndonjëherë.
Sipas gazetës Jutarnji, marrëveshja pritet t’i kushtojë shtetit kroat nga 660 milionë deri në 1.6 miliardë euro, në varësi të konfigurimit dhe pajisjeve që do të përzgjidhen.
Bëhet fjalë për anije të tipit korvetë ose fregata të lehta, të projektuara kryesisht për mbrojtjen bregdetare dhe jo për operime të thella oqeanike. Ato janë të pajisura për luftë kundër anijeve, mbrojtje ajrore dhe luftë kundër nëndetëseve.
Anijet peshojnë nga 1.000 deri në 3.500 tonë dhe janë të gjata rreth 80–120 metra. Sistemet e mbrojtjes ajrore kanë zakonisht rreze të shkurtër veprimi, 20–25 kilometra, dhe në raste të rralla deri në 70 kilometra.
Në garë për kontratën janë disa shtete, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Belgjikën, Spanjën, Turqinë, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.