
Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare për të shqyrtuar dhe votuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes.
Projektligji kërkon shumicë absolute votash. Seanca nis me fjalën e nismëtarit, vijon me raportimin e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe përfundon me votim.
Këshilli i Ministrave e miratoi marrëveshjen në parim më 21 janar. Qeveria kërkon miratim me procedurë të përshpejtuar, duke e cilësuar anëtarësimin zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme të vendit.
Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik, me mision promovimin e stabilitetit, ndërtimin e paqes dhe forcimin e qeverisjes në zona të prekura nga konflikti.
Shqipëria përfaqësohet në këtë proces nga Edi Rama. Seanca është thirrur me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa urdhri i mbledhjes është firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.