
Liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ka deklaruar se do të kthehet së shpejti në Venezuelë, duke falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për veprimet kundër regjimit në Karakas. Në një intervistë për Fox News, Machado tha se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Trump që nga muaji tetor.
Ajo e cilësoi arrestimin e presidentit Nicolás Maduro nga SHBA si një moment historik, duke thënë se “drejtësia mundi tiraninë”. Megjithatë, Trump ka deklaruar më herët se Machado nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme brenda vendit. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, ka përjashtuar gjithashtu mundësinë që ajo të vendoset në pushtet, duke theksuar se ushtria venezueliane nuk do ta pranonte si udhëheqëse legjitime.