
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama mbi origjinën e grekëve ishte e papërshtatshme, por se çështja duhet lënë pas, pasi Rama e ka korrigjuar.
Në një intervistë për televizionin Alpha, Mitsotakis tha se e njeh Ramën prej vitesh dhe se ai ka një stil të veçantë komunikimi, duke shtuar se këtë herë “tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin”.
Reagimi vjen pas polemikave të shkaktuara nga një koment i Ramës gjatë një paneli në Abu Dhabi, drejtuar gazetarit greko-amerikan John Defterios, ku ai tha se grekët nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit.
Rama reagoi më pas duke thënë se komenti ishte bërë me humor miqësor dhe jo me qëllim fyes, duke riafirmuar se Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe se Greqia e Lashtë është themel i qytetërimit europian. Ai shtoi se respekton popullin grek dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.