
Kryeministri Edi Rama u takua sot në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare kundër Antisemitizmit. Takimi kokë më kokë u pasua nga bisedime mes delegacioneve dhe një deklaratë e përbashkët për shtyp.
Netanyahu vlerësoi Shqipërinë si të vetmin vend europian ku, gjatë Holokaustit, popullsia hebreje u rrit dhe nuk u zhduk, falë mbrojtjes së shqiptarëve. Ai e cilësoi Ramën “mik të madh të popullit dhe shtetit hebre” dhe tha se Shqipëria përfaqëson një busull morale që nuk u lëkund as në momentet më të errëta.
Kryeministri izraelit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve po forcohen, duke përmendur rritjen e fortë të turizmit izraelit drejt Shqipërisë dhe interesin për investime. Ai njoftoi se në Jerusalem do të hapet Dhoma e Tregtisë, në prani edhe të kryeministrit Rama, për të thelluar bashkëpunimin ekonomik.
Netanyahu tha se lidhja mes Shqipërisë dhe Izraelit shkon përtej interesave, duke u mbështetur në një ndjenjë të thellë afërsie dhe vëllazërimi mes dy popujve.