
Represioni i autoriteteve iraniane ndaj protestave mbarëkombëtare është përshkallëzuar ndjeshëm, duke u shndërruar në një nga episodet më të përgjakshme të viteve të fundit. Organizatat e të drejtave të njeriut flasin për qindra të vrarë dhe mijëra të arrestuar.
Sipas Human Rights Activists News Agency, janë konfirmuar të paktën 490 protestues të vrarë dhe mbi 10.600 persona të ndaluar. Burime opozitare dhe Fondacioni Narges Mohammadi raportojnë shifra edhe më të larta, deri në mbi 2.000 viktima në 48 orë. Verifikimi i pavarur mbetet i vështirë për shkak të kufizimeve të rënda të informacionit.
Dëshmi dhe pamje nga rrjetet sociale tregojnë spitale dhe morgje të mbushura, ndërsa familjet përballen me pengesa për identifikimin e viktimave. Opozita pretendon se familjeve u kërkohet pagesë për lirimin e trupave.
Protestat nisën nga kriza ekonomike dhe rënia e monedhës, por shpejt u shndërruan në sfidë të drejtpërdrejtë politike ndaj regjimit. Ato konsiderohen më të mëdhatë që nga lëvizja “Grua, jetë, liri” e vitit 2022, pas vdekjes së Mahsa “Jina” Amini.
Në rrugë dëgjohen thirrje për rikthimin e Reza Pahlavit, i cili nga SHBA-ja u bën apel qytetarëve të mos tërhiqen dhe shprehet i gatshëm të udhëheqë një tranzicion politik.
Zhvillimet po ndiqen me shqetësim edhe jashtë Iranit. Izraeli ka rritur gatishmërinë dhe kryeministri Benjamin Netanyahu ka shprehur mbështetje për protestuesit. Në Uashington, po vlerësohen opsione të reja presioni; sipas New York Times, në tryezë janë sanksione të tjera, veprime kibernetike dhe skenarë të tjerë.
Në terren, autoritetet kanë ndërprerë energjinë dhe internetin në disa zona. Në Teheran, pas ditësh izolimi, qytetarë ndriçuan natën me dritat e telefonave. Trazira raportohen në Isfahan, Shiraz, Tabriz, Qom, Ahvaz, Kerman dhe Saqqez; përplasje ka pasur edhe në Mashhad.
Autoritetet pranojnë përmasën e protestave, por i quajnë “betejë e rezistencës kombëtare”. Presidenti Masoud Pezeshkian i ka cilësuar manifestuesit “terroristë”, ndërsa prokuroria ka kërcënuar me ndëshkime ekstreme. Pavarësisht represionit, protestat vazhdojnë.