
Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot 21 janarin 2011, kur gjatë një proteste para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u vranë katër protestues.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi ngjarjen si “një krim shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare”, duke shtuar se drejtësia për viktimat vijon të vonojë.
“Katër të vrarët ende nuk prehen në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”, shkroi Rama, duke theksuar se, sipas tij, e vërteta për 21 janarin nuk do të harrohet, pavarësisht vonesave.
Më 21 janar 2011 humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Ata u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” një dekadë më vonë.
Në mars 2024, Gjykata e Lartë vendosi që çështja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave.