
Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u analizua situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë prekur vendin ditët e fundit.
Nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, Rama tha se këto kanë qenë ditë të vështira për familjet e përmbytura dhe për strukturat shtetërore që kanë qenë në terren, ditë e natë, për menaxhimin e emergjencës.
Ai theksoi se rrugët e përmbytura, dëmtimet e banesave, vështirësitë në qarkullim dhe humbjet materiale kanë krijuar stres dhe nervozizëm, por nënvizoi se situata nuk është thjesht mot i keq dhe kërkon përballje të arsyeshme.
Rama kritikoi reagimet që, sipas tij, ushqejnë panik dhe përçarje, duke theksuar se reshjet, lumenjtë dhe situatat ekstreme nuk zgjidhen me akuza, slogane apo thirrje populiste.
Sipas kreut të qeverisë, në kushte emergjence nuk duhen kërkuar fajtorë, por duhet ndihmuar qytetarët e prekur dhe forcuar solidariteti.
“Shqipëria ka nevojë për bashkim forcash, jo për më shumë zhurmë”, u shpreh Rama.