
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca pret përgjegjësi nga autoritetet serbe për sulmin e armatosur në Banjskë dhe për dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri të Kosovës në vitin 2023.
Duke folur në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Rutte tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka premtuar përcaktimin e përgjegjësisë për të dyja rastet dhe se NATO pret që kjo të ndodhë.
Ai riafirmoi mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe theksoi se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën.
Rutte nënvizoi gjithashtu se NATO kërkon që të gjithë përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës, përfshirë sulmin në Banjskë dhe përplasjet në Zveçan ku u plagosën mbi 90 ushtarë të KFOR-it, të përballen me drejtësinë.