
Raportuesi i Shqipërisë në Parlamenti Evropian, Andreas Schieder, tha sot se vendi nuk ka nevojë për qeveri teknike, por për dialog politik dhe bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës.
Në një konferencë për media më 30 janar, Schieder theksoi se Shqipëria ka bërë hapa madhorë në negociatat me BE-në dhe se fokusi duhet të jetë përafrimi dhe zbatimi real i legjislacionit evropian. “Shqipëria nuk ka nevojë për molotovë, por për argumente,” u shpreh ai.
Schieder shtoi se mbi 90% e shqiptarëve mbështesin integrimin evropian dhe se vendi mund të nisë mbylljen e kapitujve, duke u pozicionuar si pararojë e zgjerimit. Ai bëri thirrje për shmangie të dhunës dhe përmirësim të kulturës politike.
I pyetur për deklaratat e Sali Berishës në Strasburg, Schieder u përgjigj shkurt: “Ju lutem, mos më bëni pyetje për gjithçka që thotë Berisha, sepse do të më duhet të dal nga roli im institucional.”