
Shqipëria është përfshirë ditët e fundit nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, duke shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit.
Situata më problematike raportohet në qarqet Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore.
Reshjet kanë vijuar edhe gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe rrezik për banorët në zonat e ulëta.
Autoritetet janë në terren për të ndihmuar familjet e prekura, ndërsa dhjetëra persona janë evakuuar për arsye sigurie. Forcat e Armatosura janë angazhuar në Durrës dhe zona të tjera për largimin e ujit nga banesat dhe evakuimin e banorëve.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet e shiut do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme në të gjithë territorin e vendit.