
Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet bazë ushqimore po tregon një varësi gjithnjë e më të madhe nga importet, veçanërisht për bulmetin.
Sipas të dhënave të INSTAT, importet e kategorisë “produkte bulmetore, vezë dhe mjaltë” arritën në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025, nga 6.8 miliardë lekë në 2024. Krahasuar me vitin 2021, rritja është rreth 62%.
Të dhënat reflektojnë një krizë të thellë në blegtori, me rënie të numrit të krerëve për shkak të braktisjes së fshatit, plakjes së popullsisë rurale dhe kostove gjithnjë e më të larta të prodhimit. Prodhuesit vendas po humbin konkurrencën ndaj importeve nga BE-ja dhe rajoni, të mbështetura nga subvencione dhe teknologji më efikase.
Forcimi i lekut e ka bërë importin më të lirë se grumbullimin vendas, duke shtuar presionin mbi fermerët shqiptarë. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo tendencë vazhdon, vendi rrezikon të humbasë kapacitetin për të prodhuar vetë produkte bazë ushqimore.