
Kryeministri në detyrë Albin Kurti reagoi pas kërkesës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë për dënime të rënda ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kurti theksoi se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare, e zhvilluar në rrethana okupimi dhe dhune shtetërore, duke nënvizuar se thelbi moral dhe historik i asaj lufte lidhet me mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. Ai paralajmëroi se shkëputja e veprimeve individuale nga ky kontekst historik rrezikon të deformojë të vërtetën.
Sipas tij, Kosova nuk ka pasur kurrë plan shfarosjeje ndaj asnjë populli apo civilësh dhe kërkesa për dënime prej 45 vitesh burg për secilin prej të akuzuarve nuk mbështetet në standarde të pranuara ndërkombëtare, pasi injoron realitetin e një lufte çlirimtare.
Kurti shtoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, si dhe parimet themelore të drejtësisë.