
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se marrëdhëniet me Turqi janë strategjike, por theksoi se prania ekonomike e Ankarasë në Ballkan mbetet më e dobët se ndikimi i saj politik.
Në një intervistë për Türkiye Today, Rama lavdëroi marrëdhënien personale me presidentin Recep Tayyip Erdo?an, por tha se Turqia duhet të forcojë bashkëpunimin rajonal me investime konkrete.
Ai theksoi se tregtia mes Shqipërisë dhe Turqisë kalon 1 miliard dollarë, ndërsa objektivi i dy vendeve është ta dyfishojnë atë.
Rama hodhi poshtë akuzat për ambicie “neo-otomane”, duke thënë se investimet turke në rajon janë më të mëdha në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku.
Duke komentuar raportet rajonale, ai tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet, ndërsa riafirmoi se pavarësia e Kosovës është “proces i pakthyeshëm”.
Rama shtoi se çdo kërcënim ndaj Kosovës do të prekte drejtpërdrejt edhe Shqipërinë.