
Irani ka lëshuar më shumë se 150 raketa drejt qyteteve kryesore të Izraelit në shenjë hakmarrjeje ndaj një operacioni ajror izraelit gjatë së cilit u vranë komandantë të lartë të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor të vendit.
Sipas mediave izraelite, sulmi iranian përfundoi dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar qytetarët se mund të largohen nga vendstrehimet. Një zyrtar ushtarak izraelit raportoi se janë goditur të paktën shtatë zona brenda dhe përreth Tel Avivit, por nuk dha detaje mbi dëmet apo viktimat.
Ministri izraelit i Mbrojtjes deklaroi se Irani “ka shkelur një vijë të kuqe duke guxuar të godasë qendra të popullsisë civile në Izrael”. Ai paralajmëroi se regjimi iranian do të përballet me pasoja të rënda për këtë akt.
Nga ana tjetër, lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, përmes një mesazhi në rrjetin social ‘X’, e kishte paralajmëruar ofensivën, duke e cilësuar veprimin izraelit si “një akt të pamatur që do të sjellë shkatërrimin e regjimit sionist.”
Irani pretendon gjithashtu se ka rrëzuar dy avionë F-35 izraelitë dhe disa dronë, ndërsa televizioni shtetëror iranian raportoi për kapjen e një pilote femër izraelite – një pretendim i mohuar nga IDF.