
Bruksel, 14 korrik 2025 – Bashkimi Evropian është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për paketën e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, përpara takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
“Shpresoj që marrëveshja të arrihet sot,” u shpreh Kallas, duke konfirmuar se agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë mbetet temë qendrore në axhendën e ministrave.
Diskutimet pritet të përfshijnë gjithashtu marrëdhëniet me Izraelin, pasi blloku ka shqetësime mbi shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të Nenit 2 të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael. Kallas paraqiti 10 opsione, nga pezullimi i bashkëpunimit, deri te embargo armësh dhe sanksione ndaj ministrave izraelitë.
Axhenda përfshin gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë Gaza dhe Bregun Perëndimor, si dhe zhvillimet në Gjeorgji.