
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi nga Zagrebi se vendi i tij nuk po e pengon integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, por se është vetë Shkupi që po e bllokon këtë proces, duke mos përmbushur kriteret themelore të anëtarësimit.
Në një konferencë për media së bashku me presidentin kroat, Zoran Millanoviq, Radev theksoi se për tre vjet Sofja ka kërkuar zbatimin e kriterit të barazisë për bullgarët dhe pakicat e tjera në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e standardeve të Kopenhagenit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Bullgaria nuk po e pengon Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj europiane. Republika e Maqedonisë së Veriut ia bën këtë vetes, sepse ende nuk dëshiron të përmbushë kriteret për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Nuk kemi kushte të reja përveç atyre që janë dakorduar, por që ende nuk janë zbatuar”, u shpreh presidenti bullgar.
Nga ana e tij, presidenti kroat Millanoviq vlerësoi se mosmarrëveshjet mes dy vendeve janë çështje dypalëshe dhe duhet të trajtohen si të tilla, pa ndikuar në procesin e përgjithshëm të integrimit të rajonit në BE.
Të dy presidentët diskutuan edhe për perspektivën europiane të Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojën për mbështetje të vazhdueshme ndaj reformave në vendet aspirante.