
Rama viziton selinë e sipërmarrjes më të madhe gjermane, e cila ka shprehur interes për disa fusha strategjike në vend.
SchwarzGroup, sipërmarrja më e madhe gjermane dhe një prej më të fuqishmeve në Evropë, ka shprehur interes për të investuar në Shqipëri. Kjo u bë e ditur gjatë një vizite zyrtare të kryeministrit Edi Rama në ambientet e kompanisë, ku ai u shoqërua nga ministrja Delina Ibrahimaj, ministrja Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga vizita, duke e përshkruar si një ditë mbresëlënëse dhe duke theksuar aktivitetin shumëplanësh të kompanisë me mbi 600 mijë punonjës, si dhe gatishmërinë e saj për të hyrë në tregun shqiptar, që sipas drejtuesve të saj po kthehet në një nyje rajonale.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të ftesës zyrtare që kryeministri kishte nga qeveria e Bavarisë, ku mbajti fjalën e hapjes në festivalin vjetor “Herrenchiemsee Festspiele”, me temë të përqendruar te Europa.