
Në Tiranë, në orën 18:00, Kombëtarja shqiptare përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K për kualifikueset e Botërorit 2026.
Anglia vjen si kryesuese me 21 pikë dhe kualifikim të siguruar. Shqipëria është e dyta me 14 pikë dhe e ka tanimë biletën për play-off, ndaj sfida e sotme shërben si test i rëndësishëm para fazës vendimtare.
Historiku i përballjeve favorizon bindshëm anglezët, që kanë fituar 7 ndeshjet e mëparshme, por kuqezinjtë mbërrijnë në këtë takim me moral të lartë, pas pesë fitoreve radhazi dhe tetë ndeshjeve pa humbje.
Takimi do të gjykohet nga italiani Marco Guida, me një ekip plotësisht italian në linja dhe në dhomën e VAR-it.
“Air Albania” pritet të jetë plot. Të gjitha biletat janë shitur dhe tifozët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora pritet të krijojnë një atmosferë të zjarrtë që prej hapjes së portave tre orë para ndeshjes.
Policia e Shtetit dhe FSHF kanë marrë masa shtesë sigurie dhe u kërkojnë tifozëve të mbërrijnë herët dhe të ndjekin udhëzimet.