
Shqipëria e ka mbyllur me humbje fazën e kualifikimeve për Botërorin 2026, duke u mundur 2 me 0 nga Anglia në “Air Albania”, me të dy golat e takimit të shënuar nga Harry Kane.
Humbja nuk solli pasoja për kuqezinjtë, të cilët e kishin siguruar më herët kualifikimin në play-off pas fitores ndaj Andorrës. Në pjesën e parë, skuadra e Silvinjos bëri një paraqitje solide dhe Strakosha u tregua vendimtar në disa raste të anglezëve.
Shqipëria pati mundësinë e saj në fillim të pjesës së dytë, me raste të Laçit, Hoxhës dhe Bajramit, por pa sukses në finalizim.
Anglia përfitoi në minutën e 74-t, kur Kane shënoi nga afër, dhe tetë minuta më vonë sulmuesi anglez dyfishoi me një gjuajtje me kokë.
Në minutat e fundit, kuqezinjtë humbën edhe Brojën për shkak dëmtimi, ndërsa Anglia ruajti epërsinë dhe mbylli kualifikueset pa asnjë humbje dhe pa pësuar gol.