
Vendimi përfundimtar në procesin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.
Lajmi është konfirmuar për RTK-në nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, i cili tha se ndryshimi i datës është zyrtar.
“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, deklaroi Mishetiç.
Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte parashikuar për më 19 maj. Procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hyrë në fazën përfundimtare që prej muajit shkurt, kur të akuzuarit dhanë deklaratat përmbyllëse.
Ish-krerët e UÇK-së kanë deklaruar vazhdimisht pafajësinë, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si të drejtë dhe çlirimtare.
Mbrojtja ka argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur pretendimet përfundimtare të saj.
Sipas aktakuzës, pjesëtarë të UÇK-së dyshohen se gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë ndalime të paligjshme, trajtim çnjerëzor, tortura, zhdukje dhe vrasje të paligjshme.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kishin dijeni për këto veprime dhe nuk ndërhynë për t’i parandaluar.