
Qeveria e Serbisë ka financuar me 23 mijë euro nga buxheti Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe, një organizatë që mbledh ish-pjesëtarë të njësisë speciale të Sigurimit Shtetëror serb.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, paratë janë ndarë gjatë dy viteve të fundit përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale. Beretat e Kuqe ishin pjesë e Njësisë për Operacione Speciale, e lidhur me Sigurimin Shtetëror të Serbisë në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
Disa ish-pjesëtarë të saj janë dënuar për vrasje politike, përfshirë vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003. Njësia ka marrë pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Ish-krerët e Sigurimit Shtetëror, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për ndihmë dhe mbështetje në krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.
Ministria serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se për çfarë janë përdorur fondet dhe cili është interesi publik për financimin e kësaj shoqate. Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe. Fondet janë miratuar nga ministrja Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici”. Ajo është bërë pjesë e qeverisë serbe në vitin 2024.
Sipas të dhënave të publikuara, paratë janë dhënë për një turne sportiv veteranësh dhe për projekte me titujt “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” dhe “Betimi i lirisë”. Për këto dy projekte nuk ka informacion publik se çfarë kanë përfshirë apo nëse janë realizuar. Ish-pjesëtarë të Beretave të Kuqe janë shfaqur së fundmi edhe në aktivitete të lidhura me pushtetin në Serbi, përfshirë tubime mbështetëse për presidentin Aleksandar Vuçiq dhe ngjarje të organizuara nga institucionet shtetërore.