
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me katër kongresistë amerikanë për sigurinë, NATO-n dhe rolin e KFOR-it në Kosovë.
Në takim morën pjesë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer.
Kurti i falënderoi për rezolutat që mbështesin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe vazhdimin e pranisë amerikane në kuadër të KFOR-it.
Ai tha se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i vendit në aleancë janë prioritete kyçe për qeverinë.
Kurti përsëriti qëndrimin se kampi Bondsteel duhet të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.
Ai i informoi kongresistët edhe për hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, duke thënë se ajo nuk synon të zëvendësojë KFOR-in, por të bashkëpunojë me NATO-n.