
Dy kongresistë amerikanë vizitojnë sot Preshevën për të diskutuar pozitën e shqiptarëve në jug të Serbisë.
Keith Self, republikan, dhe Suhas Subramanyam, demokrat, pritet të takohen me drejtues të pushtetit lokal, parti politike shqiptare dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Vizita vjen pas një nisme në Kongresin amerikan, që kërkon nga Departamenti i Shtetit një raport për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Nisma përfshin çështje si pasivizimi i adresave, përdorimi i gjuhës shqipe në institucione, mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe mungesa e teksteve shkollore në shqip.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vizitën si sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj shqiptarëve në Luginë.
Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë ngritur prej vitesh shqetësime për diskriminim dhe përfaqësim të ulët në institucionet shtetërore serbe.