
Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë në vitin 2025, nga 77.4 mijë lekë një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT-it të përpunuara nga “Monitor”, pagat më të larta janë në institucionet ndërkombëtare.
Punonjësit në këtë sektor morën mesatarisht 189 mijë lekë në muaj, ose më shumë se dyfishi i pagës mesatare në vend.
Në vend të dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, ku paga mesatare arriti në 160 mijë lekë në muaj.
Sektori i informacionit dhe komunikacionit, ku përfshihet edhe IT-ja, kishte pagë mesatare 127.4 mijë lekë.
Në industrinë nxjerrëse paga mesatare ishte 109 mijë lekë, ndërsa në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike arriti në 105 mijë lekë.
Administrata publike dhe mbrojtja kaluan për herë të parë nivelin e 100 mijë lekëve, me pagë mesatare 104.5 mijë lekë.
Edhe sektori i energjisë shënoi pagë të lartë, me 102.7 mijë lekë në muaj.
Në arsim, paga mesatare iu afrua 100 mijë lekëve, ndërsa në shëndetësi arriti në 92 mijë lekë.
Pagat janë rritur edhe në shërbimet në shtëpi, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtim.
Megjithatë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor vijojnë të mbeten ndër sektorët me pagat më të ulëta në vend, pavarësisht rritjes së kërkesës për punonjës në turizëm.