27.10.2026
Ekonomi

Ekonomia shqiptare rritet mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.71% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke qëndruar pak mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor, sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Në një konferencë për mediat, Ibrahimaj tha se rritja e Shqipërisë ishte më e lartë se mesatarja e rajonit, e cila sipas saj ishte 3.6%, dhe mbi nivelin e Bashkimit Evropian.

Sipas ministres, rritja nuk është mbështetur vetëm te një sektor, por është shpërndarë në disa pjesë të ekonomisë.

Kontributin më të madh e kanë dhënë administrimi publik, shëndetësia, arsimi, aktivitetet profesionale e shkencore, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

Shërbimet mbeten sektori kryesor i ekonomisë shqiptare, me 49.6% të peshës totale.

Pas tyre vijnë bujqësia, pyjet, peshkimi dhe industria.

Ibrahimaj tha se edhe investimet vijuan të rriten, me 3.94% në tremujorin e parë.

Sipas saj, rritje pati edhe në tregtinë e jashtme, si në eksporte, ashtu edhe në importe.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.