
Regjistrimet për herë të parë të automjeteve në Shqipëri u rritën sërish në qershor, pas ngadalësimit të shënuar në prill dhe maj.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në qershor u regjistruan për herë të parë 9,915 automjete.
Ky është niveli më i lartë mujor për këtë vit dhe i afrohet kufirit prej 10 mijë mjetesh.
Për gjashtëmujorin e parë, regjistrimet arritën në gati 49 mijë mjete, 3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ky është niveli i dytë më i lartë i regjistrimeve, pas rekordit të gjashtëmujorit të vitit 2024, kur u regjistruan 50.3 mijë mjete.
Në fund të qershorit, në Shqipëri qarkullonin gati 1.1 milionë automjete.
Koreja e Jugut vijon të jetë tregu kryesor i origjinës për makinat që hyjnë në Shqipëri.
Në gjashtë muajt e parë, 12.3 mijë mjete, ose 25% e totalit, erdhën nga Koreja e Jugut.
Kina renditet e dyta, e ndikuar kryesisht nga rritja e interesit për makinat elektrike.
Nga Kina erdhën rreth 8.2 mijë mjete, ose 17% e totalit.
Së bashku, Koreja e Jugut dhe Kina përbënin 42% të automjeteve të regjistruara për herë të parë në gjashtëmujor.
Pas tyre renditen tregjet tradicionale, si Gjermania dhe Italia.
Pavarësisht rritjes së përgjithshme të regjistrimeve, makinat elektrike shënuan rënie në qershor.
Gjatë muajit u regjistruan 775 mjete elektrike, niveli më i ulët i këtij viti.
Në mars, regjistrimet e makinave elektrike kishin arritur gati 1,300.
Megjithatë, për gjithë gjashtëmujorin, numri i makinave elektrike të regjistruara për herë të parë ishte rreth 5,700.
Kjo është 3.4 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Makinat elektrike përbënin 11.7% të totalit të mjeteve të regjistruara për herë të parë.
Volkswagen mbetet marka më e preferuar, me gati 8 mijë autovetura të regjistruara në gjashtë muajt e parë.
Mercedes-Benz renditet i dyti, me rreth 7 mijë mjete, i ndjekur nga Audi me gati 4.8 mijë.
Marka kineze BYD është ngjitur në vendin e katërt, me gati 3.9 mijë mjete të regjistruara, e ndihmuar nga kërkesa për makina elektrike.