
Kosova pritet të përfitojë 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian për projekte zhvillimore dhe infrastrukturore.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova për programet IPA 2026 dhe IPA 2027.
Vlera e këtyre projekteve është 180.5 milionë euro.
Sipas Kurtit, janë miratuar edhe tre grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
Projektet duhet të miratohen nga Komisioni Evropian dhe më pas të kalojnë përmes nënshkrimit dhe ratifikimit të marrëveshjes financiare në Kuvend.
Fondet do të mbështesin disa fusha kryesore, përfshirë mjedisin, klimën, energjinë, menaxhimin e kufijve, migrimin, arsimin, punësimin, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.
Sipas ndarjes së publikuar nga Kurti, 44 milionë euro janë parashikuar për mjedisin dhe klimën, 34.5 milionë euro për energjinë dhe 30.5 milionë euro për menaxhimin e kufijve dhe migrimin.
Konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi do të mbështeten me 31.8 milionë euro, ndërsa qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE-në me 24.7 milionë euro.
Për sundimin e ligjit janë parashikuar 15 milionë euro.
Kurti tha se rreth gjysma e fondeve do të përdoren për investime infrastrukturore.
Sipas tij, shumica e projekteve do të realizohen në bashkëpunim me partnerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.