
Fondi për barnat me rimbursim parashikohet të arrijë në 17.28 miliardë lekë në vitin 2027, rreth 3.78 miliardë lekë më shumë se këtë vit.
Rritja prej 28% është ndjeshëm më e lartë se ajo e vitit 2026, kur fondi u shtua me 7%, në 13.5 miliardë lekë.
Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029, financimi pritet të rritet më tej në 18.23 miliardë lekë në 2028 dhe në 18.81 miliardë lekë në 2029.
Edhe lista e barnave të rimbursueshme do të zgjerohet gradualisht, nga 1,356 barna këtë vit në 1,406 në vitin 2029.
Numri i pacientëve të mbuluar nga skema pritet të mbetet rreth 400 mijë në vit. Financimi mesatar për pacient parashikohet të rritet nga 33,750 lekë në 2026 në rreth 47 mijë lekë në 2029, por shuma reale ndryshon sipas diagnozës dhe barnave të përdorura.