Kryeministri Edi Rama mori pjesë të martën në Napoli në inaugurimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë. Vizita përfshiu edhe takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe institucioneve vendase.
Në fjalën e tij, Rama tha se konsullata duhet të shërbejë si një pikë lidhjeje mes shqiptarëve dhe italianëve, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta historike, ekonomike dhe njerëzore mes dy vendeve.
Ai e përshkroi Italinë si “alter egoja jonë europiane” dhe bëri një krahasim mes shqiptarëve dhe napolitanëve, duke thënë se afërsia mes dy popujve shkon përtej marrëdhënieve zyrtare mes shteteve.
Konsullata e Nderit në Napoli do të shërbejë si pikë kontakti për komunitetin shqiptar në zonë dhe për forcimin e marrëdhënieve me autoritetet dhe bizneset vendase.