Ursula von der Leyen vazhdon sot turneun në Ballkanin Perëndimor me një ndalesë në Kosovë.
Presidentja e Komisionit Europian do të takohet në Prishtinë me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti. Në qendër të bisedimeve do të jenë rruga e Kosovës drejt BE-së dhe hapat e mëtejshëm për afrimin me tregun dhe programet europiane.
Pas Prishtinës, von der Leyen udhëton të enjten edhe në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatovi? dhe kryeministrin Milojko Spaji?. Turi mbyllet të premten në Shkup me takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë përfshirë në këtë vizitë. Komisioni Europian ka thënë se von der Leyen synon t’i vizitojë më vonë, pas zgjedhjeve që pritet të zhvillohen në të dy vendet.
Vizita zhvillohet ndërsa Brukseli po përgatit hapa të rinj për vendet që janë më përpara në procesin e anëtarësimit.
Komisioni po punon për udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Ato pritet të përcaktojnë reformat që duhet të përmbushë secili vend, afatet dhe rezultatet që kërkohen për të ecur më tej në negociata.
Më 6 tetor pritet të paraqitet rishikimi i politikave të BE-së përpara zgjerimit, ndërsa më 15 dhe 16 tetor liderët europianë do të diskutojnë zgjerimin dhe ndryshimet që duhet të bëjë vetë Bashkimi Europian përpara pranimit të anëtarëve të rinj.
Brukseli po shqyrton edhe një model ku vendet kandidate marrin gradualisht më shumë qasje në tregun dhe programet e BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Një draft i Komisionit parashikon gjithashtu masa mbrojtëse për rastet kur një anëtar i ri largohet nga standardet demokratike ose bllokon vendime të rëndësishme të unionit.
Vizita e von der Leyen në Prishtinë vjen një ditë pas takimeve të saj në Tiranë, ku ajo vlerësoi ritmin e Shqipërisë në negociata dhe kërkoi vazhdimin e reformave.