
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do të ulë tarifat që bankat paguajnë për përdorimin e sistemit interbankar, duke kërkuar në të njëjtën kohë që edhe vetë bankat të rishikojnë tarifat ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Guvernatori Trajko Sllaveski, në një takim me përfaqësues të sektorit bankar, theksoi se tarifat për shërbimet duhet të jenë “të matura, të qëndrueshme për bankat, por edhe të drejta dhe të përballueshme për qytetarët”. Sipas tij, kostot e larta të pagesave mund të pengojnë përfshirjen financiare, veçanërisht për personat me të ardhura më të ulëta.
Sllaveski paralajmëroi se fitimet e mëdha të bankave nga tarifat – që përbëjnë 18% të të ardhurave neto – nuk duhet të vijë në dëm të aksesit të gjerë në shërbimet financiare. Ai shtoi se disa tarifa mund të ulen ose të hiqen krejtësisht, në përputhje me praktikat evropiane.
Ai vlerësoi gjithashtu përparimin rregullator dhe teknologjik që ka mundësuar anëtarësimin e vendit në SEPA, duke ofruar tashmë mundësi për pagesa tejkufitare në euro në mënyrë efikase dhe të përballueshme.