
Tiranë – Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë civile të kryeministrit Edi Rama ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për deklaratat e këtij të fundit në vitin 2018 lidhur me dosjen “339” dhe përfshirjen e zyrtarëve të Partisë Socialiste në blerjen e votave.
Rama kërkonte dëmshpërblim jo pasuror prej 1 milion lekësh dhe një përgënjeshtrim publik, duke argumentuar se Basha kishte cënuar nderin dhe personalitetin e tij përmes akuzave që lidhnin emra të PS-së, si Vangjush Dako, me grupe kriminale.
Gjykata vendosi më 11 qershor të mos pranojë padinë, duke e cilësuar të pabazuar në ligj dhe në prova. Sipas vendimit, shpenzimet gjyqësore do të mbulohen nga pala paditëse.
Vendimi mund të apelohet brenda 15 ditësh në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.