19.09.2026
Bota

Avion i Air India rrëzohet në Ahmedabad, mbi 240 pasagjerë në bord

Ahmedabad – Një avion pasagjerësh i kompanisë Air India është rrëzuar pranë aeroportit të Ahmedabadit në Indinë perëndimore, ndërsa ishte nisur drejt Londrës.

Avioni do të udhëtonte drejt Aeroportit Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar dhe mësohet se në bord ndodheshin mbi 240 persona. Sipas autoriteteve, përplasja ndodhi menjëherë pas ngritjes, në një zonë të banuar pranë aeroportit.

Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme. Pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë flakë dhe tym që ngrihej mbi zonën e përplasjes.

Autoritetet indiane të aviacionit pritet të nisin hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare mbi gjendjen e pasagjerëve apo numrin e viktimave.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.